Wednesday, August 6, 2008

5. Në rrugën Shën Romane

Poezia bëhet në një shtrat si dashuria
Çarçafët e saj të shprishur janë agimi i gjërave
Poezia bëhet në pyje

Ajo ka hapësirën që i duhet asaj
Jo këtë por tjetrën që kushtëzon
syrin e gjeraqinës
vesën mbi një bargjan
Kujtimin e një shisheje vere të bardhë Traminer
të veshur mbi një tepsi argjendi
Një shufër të lartë turmalini mbi det

Dhe rrugën e aventurës mendore
Që ngjitet thikë
Një vendqëndrim dhe prishet menjëherë

Kjo nuk tellalliset nga maja çative
Është e pahijshme të lësh portën hapur
A të thërrasësh dëshmitar

Tufat e peshqve gardhet e trishtilave
Shinat në hyrjen e një stacioni të madh
Reflekset e dy brigjeve
Brazdat e bukës
Flluskat e rrëkesë
Ditët e kalendarit
Lule balçi

Akti i dashurisë dhe akti i poezisë
Janë të kundërt
Me leximin e gazetës me zë të lartë

Drejtimi i rrezes së diellit
Drita e rimtë që bashkon prerjet gdhe
të druvarit

Filli i balonës në formë zemre ose rrjete zogjsh
Goditja ritmike e bishtit të kastorit
Zelli i vetëtimës
Hedhja e sheqerkave nga lartësia e shkallëve të vjetra
Orteku

Dhoma e ngashënjimeve
Jo zotërinj kjo nuk është Dhoma e Tetë
As avujt e fjetores një mbrëmje të diele

Figurat e vallëzimit luajtur tejdukshëm mbi pellgje
Mbërthimi pas një muri i një trupi femre
me hedhje kamash

Pufkat e holla të tymit
Kaçurrelat e flokëve të tu
Lakorja e sfungjerit të Filipineve
Vargje perlash të gjarprit koral
Hyrja e shermashekut në gërmadha
Ajo ka gjithë kohën përpara

Shtrëngimi poetik si shtrëngimi i mishit
Aq sa zgjat
Ndalon çdo panoramë mbi mjerimin e botës

No comments: