20. Gruaja ime
Gruaja ime me flokë prej zjarri drush
Me mendimet shkreptima nxehtësie
Me shtatin sahat rëre
Gruaja ime me shtat vidre mes dhëmbëve të tigrit
Gruaja ime me gojë kokarde e buqete yjesh të madhësisë
së fundit
Me dhëmbët prej gjurme miu të bardhë mbi tokë të bardhë
Me gjuhë qelibari e xhami të lëmuar
Gruaja ime me gjuhë nafore gjithë spica
Me gjuhë kukulle që hap e mbyll sytë
Me gjuhë prej guri të pabesueshëm
Gruaja ime me qerpikë shkopinjsh për shkrim fëmijësh
Me vetulla prej cepi çerdhe dallëndysheje
Gruaja ime me tëmthat prej tjegulle çati serash
Dhe avulli mbi xhama
Gruaja ime me shpatulla shampanje
E kroi me koka delfinësh mbi akull
Gruaja ime me kyçe shkrepësesh
Gruaja ime me gishtërinj kumarxhiu dhe asi zemre
Me gishtërinjtë prej sane të prerë
Gruaja ime me sqetulla kunadhesh e fasulesh
Nate të Shën - Gjonit
Voshtre e foleje shkallinash
Me krahë prej shkume deti e gryke
Dhe përzierjes së grurit e të mullirit
Gruaja ime me këmbë fushqete
Me lëvizje fabrike orësh dhe dëshpërimi
Gruaja ime me pulpa prej palce shtogu të zi
Gruaja ime me këmbë fillestaresh
Me këmbë vandaku çelësash me këmbë kallafatorësh që pinë
Gruaja ime me qafë elbi plot perla
Gruaja ime me gushën Luginë ari
Takimesh në shtratin e vetë përroit
Me gjinj nate
Gruaja ime me gjinjtë prej pirgjesh detare
Gruaja ime me gjinjtë vazo rubinësh
Me gjinjtë prej spektri trëndafili nën vesë
Gruaja ime me barkun si shpalosje freskoreje të ditëve
Me barkun prej kthetrash gjiganti
Gruaja ime me kurriz zogu që çan vertikalisht
Me kurriz merkuri
Me kurriz drite
Me zverkun prej guri të lëmuar e shkumësi të njomë
E prej buzëve të një gote ku sapo kanë pirë
Gruaja ime me këllqe kaikeje
Me këllqe llambadari e puplajash shigjete
E kërcej pendësh palloi të bardhë
E peshoreje të pandjeshme
Gruaja ime me vithe shtufi e amianti
Gruaja ime me vithe prej kurrizi mjellme
Gruaja ime me vithe pranvere
Me seks shpatëze
Gruaja ime me seks sistemimi dhe ornitorinku
Gruaja ime me seks alge e bonbonesh të dikurshme
Gruaja ime me seks pasqyre
Gruaja ime me sy gjithë lot
Me sy koleksioni armësh manushaqe e gjilpëre magnetike
Gruaja ime me sy savanesh
Gruaja ime me sy uji për të pirë në burg
Gruaja ime me sy pylli gjithmonë nën sëpatë
Me sytë prej niveli uji niveli ajri toke e zjarri
No comments:
Post a Comment