17. Elementi Kalë
Ne zogjtë që ti magjeps gjithmonë nga lartësia e këtyre tarracave
E që çdo natë nuk vizitojmë veç një degë të lulëzuar të shpatullave
tua në dorëzat e karros tënde të dashur
Që shkulemi nga kyçi yt më rrëmbyeshëm se shkëndijat
Ne jemi psherëtimat e statujës prej qelqi që ngrihet në bërryl kur njeriu fle
E kur zgërbonja të shndritshme hapen në shtratin e tij
Zgërbonja nga mund të ajgëtosh drerë me brirë korali në një lirishtë
E gra të zhveshura poshtë në thellësi të një miniere
Të kujtohet ti ngriheshe dhe zbrisje nga treni
Pa ia hedhur sytë lokomotivës pre e rrënjëve të pafund barometrike
Që ankohet në pyllin e virgjër me gjithë kaldajat e sajë të lënduara
Me oxhaqet që tymojnë hiacint e të shtyrë prej gjarpërinjsh blu
Ne të paraprinim atëherë ne bimët që vuanim nga metamorfozat
Që çdo natë bëjmë shenja të kapshme për njeriun
Ndërsa shtëpia e tij shembet e ai habitet përpara ngjashmërive
të veçanta
Që kërkon krevati i tij me korridorin e shkallën
Shkalla degëzohet pambarimisht
Ajo të çon në një portë mullari zgjerohet befas mbi një shesh publik
Është bërë prej shpine mjellmash me një krah hapur për parmakun
Sillet përreth vetes sikur do kafshohej
Por jo kënaqet që hap mbi hapat tona të gjitha shkallaret si sirtarë
Sirtarë buke sirtarë vere sirtarë sapuni sirtarë pasqyrash sirtarë shkallësh
Sirtarë mishi flokë me grushte
Në këtë orë ku mija rosakë Vokansoni lëmojnë pendët
Pa të kthyer mbrapsht ti kapje mistrinë me të cilën bëhen gjinjtë
Ne të buzëqeshnim ti na mbaje për mesi
E silleshim pas dëshirës tënde
Të palëvizshëm nën qepallat tona përgjithmonë siç do gruaja
të shohë burrin
Pasi ka bërë dashuri
No comments:
Post a Comment