Wednesday, August 6, 2008

8. Bota në një puthje

Bota në një puthje
Ahengxhiu me thupër lajthie qepur mbi mëngët
Qetëson një tufë majmunësh-luanë të rinj
Të zbritur me potere të madhe nga korniza
Gjithçka bëhet e marrtë shikoj të kalojë pajtoni i natës
Tërhequr nga amfibë me këpucë të bruzta
Hyrja xixëlluese e dhunës që shpie në varr
Kalldrëm qepallash me qerpikët e tyre
Dhëmb për dhëmb shkapërderdh një popullatë yjesh
E ti larushitesh për mua me iridë vese të zezë
Ndërsa caqet e llahtarshme mendore
Me loze hardhie
Shkrihen në ndjenjën e gjatësisë
Duke i hapur udhë çafkave
Që gjejnë përsëri liqenin fqinj
Shulat e spektaklit janë mrekullisht të përdredhur
Një bosht i gjatë ajri dëshmon vetëm arratinë e njeriut
Pa gdhirë mirë midis jonxhës së famshme
Ora
S’është më veç çfarë tingëllojnë monedhat e arit të arixhiut
Në fletët - teh koreopsish
Një kalorëse në këmbë mbi një kalë që rend galop
të përhimë nga lëmshe stuhish
Nga larg krahët janë gjithmonë në tërheqje anësore
Rombi i pluhurosur në anën e poshtme më kujton
Tendën zbukuruar me bizonë të rimtë
Prej Indianëve të jastëkut
Jashtë ajri provon dorashkat veshtullore
Mbi një banak uji të kulluar
Bota në një puthje bota
Zhguajt të mitë
Zhguajt e breshkës së madhe qiellore me bark ujëthithës
Që lufton çdo natë në dashuri
Me breshkën e madhe të zezë dyzetkëmbëshin vigan të rrënjëve

No comments: